Pozita Gjeografike

 

Istogu është një qytet i qetë afër bjeshkëve të Moknës me lartësi mbidetare gjer në 2 155 m. Temperatura mesatare e vitit është rreth 10.7 0 C. Muaji më i ngrohtë është Korriku me temperaturë mesatare 27 0C, muaji më i ftohtë është muaji Janar me temperaturë mesatare 10 0 C. Lëvizja e ajrit është e ndikuar në mënyrë të theksuar nga reliefi, për këtë arsye shpejtësia e erës ndonjëherë arrin gjer në 120 km/h. Istogu njihet me burime të ujit dhe rritje të peshqve dhe lidhet me rrugët kryesore në disa drejtime: Pejë, Mitrovicë, Prishtinë. Zhvillimin e vetë e mbështet në resurset njerëzore dhe natyrore, në traditën e popullatës së kësaj ane dhe në kërkesat e ekonomisë së tregut. Istogu shtrihet në pjesën veri – perëndimore të Kosovës dhe në pjesën veriore të Dukagjinit. Istogu ka sipërfaqe prej 453.84 km2 . Kufizohet në lindje me Komunën e Skënderajt, në jug me Komunën e Klinës, në jug – perëndim dhe perëndim me Komunën e Pejës, në veri me Malin e Zi dhe Serbinë si dhe në veri – lindje kufizohet me Komunën e Zubin Potokut. Sipërfaqja e tokës së punueshme bujqësore të Istogut është 45.384 ha. Struktura pronësore e kësaj sipërfaqje është 46,2% është pronë shoqrore dhe 52.8% është pronë private. Ndërkaq, sipërfaqet pyjore prej 19.220 ha, pronë e sektorit shoqëror është 65,03%, ndërsa sektorit privat 34,97%. Istogu ka pasuri natyrore nëntokësore siç janë mermeri “ONIX” në Banjë, uji termomineral, dhe thëngjilli “LINJIT” në fshatin Tuqep, në sipërfaqe prej 100 km2 me trashësi prej 30 – 50 m dhe në thellësi gjer në 230 m. Komuna e Istogut është e pasur me hidrografi dhe atë Burimi i Istogut, Burimi i Vrellës si dhe kufizimi me Drinin e Bardhë. Në Banjë gjendet Burimi i ujit termomineral me një kapacitet 17,5 litra / në sekond. Ky ujë ka tempertaurë 46 – 48 0C, me mundësi të zgjerimit dhe të shfrytëzimit të kapaciteteve turistike termale. Uji i Banjës ka cilësi shëruese të sëmundjeve reumatike dhe të sëmundjeve tjera të ndryshme. Istogu ka natyrë të pastër ekologjike, me bjeshkë atraktive, me ujë të pijshem, ujë termomineral, klimë të volitshme cilat janë bazë për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit.